Këto janë momentet kur policia bllokon makinën e vjedhur nga dy të rinj në Vlorë.
30 minuta ndjekje policore dhe automjeti tip Volkswagen Golf i vjedhur u bllokua në dalje të autostradës.
Në pranga ranë dy të rinjtë, 22-vjeçari A.Z. dhe 17-vjeçari A.H., ky i fundit pasagjer. Mjetin e vodhën në zonën e plazhit të ri në Vlorë.
Dy të rinjtë akuzohen për veprën penale ‘Vjedhja’, e kryer në bashkëpunim.
Njoftimi i Policisë së Vlorës:
Vodhën një automjet në ‘Plazhin e Ri’, në Vlorë, reagimi në kohë i Policisë bëri të mundur lokalizimin dhe ndalimin pas rreth 30 minutash ndjekjeje, të 2 shtetasve që kishin vjedhur automjetin.
Policia vuri në pranga një 22-vjeçar që drejtonte automjetin e vjedhur dhe një 17-vjeçar që ishte pasagjer në këtë automjet.
Shërbimet e Policisë që patrullonin në territor, për garantimin e rendit dhe sigurisë, morën njoftim për vjedhjen në një lavazh, të një automjeti në pronësi të shtetasit S. G., në afërsi të ‘Plazhit të Ri’, Vlorë.
Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë dhe forcat ‘Shqiponja’, falë reagimit në kohë dhe si rezultat i kontrollit të territorit, lokalizuan automjetin dhe u vunë në ndjekje të tij.
Pas rreth 30 minutash ndjekjeje, bënë të mundur bllokimin e automjetit, të cilin po e drejtonte shtetasi A. Z., 22 vjeç dhe kishte pasagjer shtetasin A. H., 17 vjeç, banues në Vlorë.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Z., 22 vjeç, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. H., 17 vjeç, për veprën penale ‘Vjedhja’, kryer në bashkëpunim.